Lajmet

Gërvalla: Kosova dhe Shqipëria duhet të lënë mënjanë politikën ditore kur bëhet fjalë për raportet bilaterale

Gërvalla i theksoi këto aspekte gjatë takimit që zhvilloi me Ambasadorin e Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi, me të cilin, përveç thellimit dhe forcimit të raporteve midis dy vendeve, diskutoi edhe për situatën aktuale me pandeminë, dhe në veçanti për zhvillimet politike në rajon.

“Duke u bazuar në historinë tonë të përbashkët, nuk është asgjë sekrete se Republika e Shqipërisë është partneri ynë kryesor strategjik në rajon, prandaj është shumë e natyrshme që edhe si klasë politike edhe si institucione të aplikojmë politika shtetërore që kanë për qëllim vullnetin e qytetarëve tanë”, tha drejtuesja e diplomacisë kosovare.

Gërvalla tha po ashtu se, Kosova aspiron të zhvillojë raporte të mira fqinjësore me të gjitha vendet që ajo kufizohet, duke shtuar se bashkëpunimi ndër shqiptarë nuk e pengon këtë qasje, por përkundrazi, ofron më shumë paqe, siguri dhe prosperitet për gjithë rajonin.

Në këtë takim, ministrja Gërvalla falënderoi ambasadorin Minxhozi për kontributin që Shqipëria ka dhënë për Kosovën në të gjitha fushat e bashkëpunimit, dhe në veçanti i shprehu mirënjohje për ndihmën e ofruar së fundmi me vaksinat anti-Covid për stafin shëndetësor të Kosovës.

Gërvalla dhe Minxhozi biseduan edhe për thellimin e bashkëpunimit ekonomik, tregtar dhe investimeve të ndërsjella, me synim gjenerimin e vendeve të reja të punës, në veçanti në fushën e turizmit.

Lajmet të tjera

Back to top button