Lajmet

Demi: Në krizën më të madhe, qeveria mban mbledhje për aprovimin e një rregulloreje, hajgare a?

Përmes një postimi në Facebook ai me habi ka pyetur nëse ajo ka qenë “hajgare”, duke marrë parasysh se në këtë mbledhje u mor vetëm një vendim për rregulloren e procedurave të brendshme, në një kohë krize për shëndetin publik e ekonomik, siç ka thënë Demi.

“Në krizën më të madhe të shëndetit publik dhe krizën ekonomike, kur krejt po presim vendime përmbajtjesore, Qeveria lajmëron me pompozitet që ka me mbajt mbledhje dhe në fund e aprovon një rregullore për procedurat e brendshme. HAJGARE A?!” ka shkruar ai.

Në mbledhjen e mbajtur të premten pasdite, Qeveria ka miratuar Rregulloren me të cilën përcaktohen fushat e përgjegjësisë administrative të Zyrës së Kryeministrit dhe ministrive. Aty kryeministri Albin Kurti u shpreh se ky vendim është më urgjent se të tjerët sepse “i hapë rrugë sistemimit të përgjegjësive që kemi në Kryeministri e në ministritë e linjës si rezultat i fuzionimit që janë bërë në disa ministri”.

“Rregullorja përkufizon funksionet e Qeverisë në ushtrimin e pushtetit ekzekutiv në përputhje me Kushtetutën dhe legjislacionin në fuqi dhe kompetencat përmes miratimit të vendimeve me propozimin e anëtarëve të Qeverisë dhe institucioneve tjera në pajtim me Kushtetutën dhe legjislacionin në fuqi; miratimit të akteve juridike ose rregulloreve, të nevojshme për zbatimin e ligjeve; diskutimin e problemeve dhe miratimin e vendimeve për çështje të tjera që ajo i konsideron të rëndësishme në kuadër të kompetencave të saj; miratimit të vendimit për emërimet dhe shkarkimet brenda kompetencave të saj, si dhe kryen të gjitha detyrat dhe përgjegjësitë e tjera të përcaktuara me Kushtetutë dhe legjislacionin në fuqi”, thuhej në njoftimin e Qeverisë.

Me këtë rregullore u përcaktua edhe përbërja e ministrive:

1. Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD);

2. Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve (MFPT);

3. Ministria e Drejtësisë (MD);

4. Ministria e Mbrojtjes (MM);

5. Ministria e Punëve të Brendshme (MPB);

6. Ministria e Shëndetësisë (MSH);

7. Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI);

8. Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS);

9. Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL);

10. Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI);

11. Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZHR);

12. Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT);

13. Ministria e Ekonomisë (ME);

14. Ministria për Komunitete dhe Kthim (MKK);

15. Ministria e Zhvillimit Rajonal (MZHR). /Gazetapress.net/ 

Lajmet të tjera

Back to top button