KRONIKA E ZEZË

Policia e Kosovës shpëton 4 persona të bllokuar në borë në Bjeshkët e Zhurit

Policia e Kosovës ka shpëtuar 4 persona të bllokuar në borë në Bjeshkët e Zhurit.

Kështu kanë bërë të ditur nga Policia e Kosovës të cilët kanë treguar se kanë pranuar informacionin fillimisht se 2 persona kanë mbeutr të ngujuar, por pas operacionit është marrë vesh se bëhej fjalë për 4 persona, shkruan lajmi.net.

Kërkimi i personave në fjalë ka zgjatur disa orë dhe më tej është arritur kontakti fizik me personat.

Ky është njoftimi i plotë:

Me intensifikimin e reshjeve të borës këto ditë në vendin tonë Policia e Kosovës ka qenë e angazhuar në teren me njësitet e saj pavarësisht kushteve dhe rrethanave atmosferike që kanë mbretëruar. Njëkohësisht është kërkuar nga të gjithë që të kenë kujdes të shtuar gjatë qarkullimit apo lëvizjes nëpër rrugë apo zona të ndryshme gjatë reshjeve atmosferike.

Me datë 22.03.2021, rreth orës 11:40, në Policinë e Kosovës është pranuar një informatë se në Bjeshkët e Zhurit kishin mbetur të ngujuar nga dëbora dy (2) persona të cilët ishin nisur në këmbë rrugës malore por që kishin vështirësi për të arritur në Zhur.

Menjëherë Policia ka filluar organizimin e operacionit të kërkimit dhe shpëtimit të këtyre personave dhe ka arritur që përmes kontaktit me ta të kuptoj se janë gjithsej katër (4) persona që janë larg dhe kanë vështirësi. Nga Stacioni Policor për Mbikëqyrjen e Kufirit (SPMK) në Vërmicë janë angazhuar dy (2) automjete, një moto-sajë dhe katër (4) zyrtarë policorë.

Pas disa orë kërkimi nga Policia është arrit kontakti fizik me personat e mbetur në mal, për të arritur pastaj në Zhur. Rreth orës 16:00 të njëjtën ditë, duke ndier veten në gjendje të mirë dhe pa pasur nevojë për ndonjë trajtim mjekësor personat në fjalë janë kthyer në shtëpi shëndosh e mirë.

Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar të ju shërbej të gjithëve pa dallim dhe të ofroj ndihmën e nevojshme kudo dhe kurdo që qytetarët kanë nevojë apo konsiderojnë që Policia mund të ju dal në ndihmë. Vetëm përmes një bashkëpunimi aktiv mundemi që situatat e vështira ti tejkalojmë më lehtë.

Lajmet të tjera

Back to top button