Lajmet

A do të ketë probleme Kurti nëse kontestohet në Kushtetuese?

Albert Krasniqi nga Demokracia Plus thotë për KosovaPress nuk ka asnjë bazë ligjore dhe Kushtetuese që t’i pamundësohet Kurtin të jetë kryeministër.

Ai shprehet i bindur se në rast që dërgohet një lëndë e tillë në Gjykatën Kushtetuese, partitë opozitare do ta humbin atë.

“Konsideroj se nuk ka pengesa për zotëri Kurtin që të jetë kryeministër për shkak se ai aktgjykim ka të bëjë me kriteret për zgjedhjet për deputetë. Nuk rregullon dhe nuk mund të vlejë në mënyrë reciproke edhe për kandidatët për kryeministër, apo pozicione tjera që dalin nga Kuvendi. Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme rregullon vetëm deri në momentin e certifikimit të rezultateve të kandidatëve që marrin pjesë në zgjedhje, por nuk e rregullon edhe aty se çfarë ndodh me deputetët pasi të zgjedhën. Pasi janë kritere të ndryshme kur humbet mandati i deputetit në raport me atë se çfarë kritere janë për t’u kandiduar për deputetë. Këto nuk mund të vlejnë për kryeministër sepse rregullimi i Ligjit për Zgjedhje thotë se ndalon dhe përfundon aty ku certifikohen rezultatet….Nuk ka bazë për t’u thirrur në aktgjykim për t’i pamundësuar Kurtit që të jetë kryeministër. Nuk ka asnjë kufizim për Kurtin që mos të jetë i dënuar në tri vitet e fundit. Këto janë vetëm për kandidatët për deputetë, kështu që edhe nëse e dërgojnë unë jam i bindur se do ta humbin atë lëndë në Gjykatën Kushtetuese”, thotë Krasniqi.

Mendim të njëjtë shfaq edhe Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës, i cili thotë për KosovaPress se nuk ka materie për ta sfiduar kushtetutshmërinë e kryeministrit Kurti në Kushtetuese.

Por sipas tij, edhe nësedërgohet në Gjykatë Kushtetuese, duke parë praktikat e kaluara, mund të mos ketë vendimmarrje deri në shtator, kur veçse skadon afati tre vjeçar i dënimit me kusht të Kurtit, për ta lënë Kushtetuesen pa materie për shqyrtim.

“Për ta parashtruar një ankesë të tillë në Gjykatën Kushtetuese duhet që subjektet politike në fjalë, e në rastin konkret besoj që duhet të sfidohet dekreti i presidentit për ta nominuar zotëri Kurtin si kandidat për kryeministër. Për këtë nevojitet tridhjetë nënshkrime, e pa u bërë bashkë të paktën dy partitë e mëdha opozitare nuk mund të arrihet si numër. Tek atëherë brenda një afati 8 ditorë duhet që të njëjtit ta sfidojnë kushtetutshmërinë e dekretit në fjalë. Sidoqoftë, përkundër deklarimeve unë nuk besoj që ka shumë materie për ta sfiduar këtë çështje. Meqenëse edhe pse Gjykata Kushtetuese ka përcaktuar se nuk mund dikush të bëhet deputetë nëse ka precedentë penal, sado që mund të duket e palogjikshme që dikujt t’i pamundësohet gara për deputetë dhe pastaj të lejohet për kryeministër si pozita më e lartë ekzekutive. Gjykata në vlerësimin e kushtetutshmërisë së deputetit Etem Arifi e ka marrë për bazë Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme përkatësisht nenin 29 të tij. Ndërsa në rastin e kryeministrit nuk ekziston ndonjë rregullim ligjor për këtë çështje, për shkak se nuk kemi ligj për qeveri”, thotë ai.

E vet kryeministri Albin Kurti, tha se nuk ka rast për Gjykatën Kushtetuese, zgjedhja e tij si kryeministër.

“Nuk mund të komentoj iniciativat e të tjerave pa i parë, por mund të them se nuk ka rast për Gjykatën Kushtetuese”, ka thënë Kurti.

Dyshime për kushtetutshmërinë e Kurtit si kryeministër shfaqën në Lidhjen Demokratike të Kosovës. Shefi i grupit parlamentar të tyre, Arben Gashi ditë më parë paralajmëroi se mund të dërgojnë në Gjykatë Kushtetuese dekretin e mandatimit të Kurtit si kryeministër.

Kryeministri tashmë i zgjedhur, Albin Kurti nuk është lejuar të jetë kandidat për deputet në zgjedhjet e 14 shkurtit. Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, duke u thirrur në Ligjin për Zgjedhje që t’iu pamundësohet atyre që kanë precedent penal në tri vitet e fundit kandidatura për deputet.

Kurti në shtator të vitit 2018, me aktvendim të prerë është dënuar me kusht për hedhje të gazit lotsjellës në Kuvend të Kosovës.

Lajmet të tjera

Back to top button