Lajmet

Sjelljet e partive opozitare, pasqyrë e nivelit të reformimit

Ndërkaq, Partia Demokratike e Kosovës (PDK), ende nuk ka sqaruar se a do t’iu qaset reformave të brendshme.

Arton Demhasaj, drejtor ekzekutiv i organizatës joqeveritare “Çohu”, thotë se partitë opozitare, PDK dhe LDK, të cilat shihen si parti të mëdha, i kanë të domosdoshme reformat e brendshme, si parti që kanë humbur zgjedhjet pas një kohe shumë të gjatë në pushtet.

Pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 14 shkurtit, Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, patën paralajmëruar reforma të brendshme partiake.

LDK-ja, më 14 mars ka pasur kuvendin e saj zgjedhor dhe në krye të partisë e ka zgjedhur Lumir Abdixhikun, pas dorëheqjes së Isa Mustafës.

Partia Demokratike e Kosovës, aktualisht udhëhiqet nga ushtruesi i detyrës së kryetarit të partisë, Enver Hoxhaj, pasi që lideri i PDK-së, Kadri Veseli, aktualisht është në Hagë, si i akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit nga Zyra e Prokurorit të Specializuar.

PDK-ja ende nuk ka paralajmëruar se kur mund ta ketë konventën e saj zgjedhore, për kryetarin e ri të partisë.

LDK: Do të kemi reforma të thella strukturore

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, thotë për Radion Evropa e Lirë se reformat në këtë parti janë të domosdoshme dhe se ato do të ndodhin. Por, sipas tij, reformat do të jenë më shumë në aspektin strukturor dhe të kuadrove.

“Definitivisht janë të domosdoshme reformat. Pas dhjetë vjetësh të lidershipit të Isa Mustafës, rezultatet që janë arritur me 6 tetor, 2019 dhe 14 shkurt, 2021, na detyrojnë që të hyjmë në proces reformues. Kuvendi i saj zgjedhor (i LDK-së) ka vendosur standard të ri, jo vetëm për procesin zgjedhor, por edhe për mënyrën se si ka për t’u reformuar. Deri në fund të javës do të punojmë në letra. Pas mbledhjes së Këshillit të Përgjithshëm mund të jemi më eksplicit (se cilat do të jenë reformat)”, theksoi Haziri.

PDK-ja hesht për reformat e paralajmëruara

Partia Demokratike e Kosovës ende nuk ka dhënë ndonjë sqarim nëse do të nisë reformat e brendshme, pavarësisht që ushtruesi i detyrës së kryetarit të kësaj partie, Enver Hoxhaj, menjëherë pas zgjedhjeve të 14 shkurtit, në një intervistë për një media vendore, pati paralajmëruar ato. Hoxhaj pati thënë se PDK-ja do të ndryshojë në kuptimin e një reforme të mirëfilltë dhe të thellë.

Zyrtarët e kësaj partie nuk kanë dashur që t’i përgjigjen Radios Evropa e Lirë se çfarë do të jenë reformat e paralajmëruara.

Në një takim me gazetarë, në prag të mbledhjes së Këshillit drejtues të Partisë Demokratike të Kosovës, më 17 mars, Hoxhaj ka deklaruar që në mbledhje nuk do të bëhet fjalë për ndryshime brenda strukturave të partisë, por për opozitarizmin që do ta bëjë kjo parti.

“Këshilli drejtues është ftuar që nga java e kaluara, për temat që janë të rëndësishme në raport me një parti, e cila ka qenë gjatë në qeveri dhe që tash është në opozitë, e cila ka marrë një rezultat që ju e dini dhe e cila duhet të ngritë pyetje të tilla se çfarë opozite do të bëjmë”, ka thënë Hoxhaj.

Arton Demhasaj, drejtor ekzekutiv i organizatës joqeveritare “Çohu”, duke folur për Radion Evropa e Lirë, shpreh mendimin që partitë politike kanë nevojë për reformim të vazhdueshëm dhe jo vetëm pas rezultateve negative në zgjedhje.

Sipas tij, rezultati jo i mirë në zgjedhje, çoi në dorëheqjen e lidershipit të vjetër të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe zgjedhjen e kryetarit të ri të saj. Por, sipas tij, kjo nuk duhet konsideruar si reformë, përderisa ajo nuk shtrihet edhe nëpër degë dhe nëndegë të kësaj partie.

Demhasaj vlerëson që në mënyrë të njejtë duhet të veprojnë edhe Partia Demokratike e Kosovës. Por, përderisa kjo parti ka ushtrues detyre të kryetarit, i cili nuk i ka kompetenca të plota, sipas tij, vështirë se ai mund të nisë reformën në parti.

Reforma në PDK, sipas Demhasajt, duhet të nisë prej zgjedhjes së liderit të ri të partisë, për të vazhduar më tej në strukturat e tjera.

“LDK-ja vetëm sa ka filluar procesin e reformimit. Nuk mund të themi se çfarë po ndodh derisa ta shohim këtë. Nga ana e PDK-së nuk kemi ende një reflektim se a kanë filluar të merren me diçka të tillë. Prandaj, mendoj që edhe PDK-ja, patjetër, duhet të filloi menjëherë. Kemi zgjedhje lokale në vjeshtë dhe çështja është se a duhet këto parti të fillojnë qysh tash reformimin, i cili mund t’iu reflektojë mbase negativisht apo edhe pozitivisht në zgjedhjet lokale. Por, sidoqoftë, koha e fundit që duhet partitë politike të fillojnë me reforma, mund të jetë menjëherë pas zgjedhjeve lokale. Pra, që të fillojnë procesin e reformimit, në mënyrë që ne t’i shohim këto parti politike të reformuara, sepse kanë qenë në pushtet goxha gjatë”, tha Demhasaj.

Se a do të reformohen vërtetë partitë politike opozitare, sipas Demhasajt, kjo do të vërehet edhe në mënyrën se si do të sillen si opozitë.

“Nëse fillojnë të veprojnë këto parti politike ashtu siç kanë vepruar edhe në të kaluarën, atëherë nuk mund të themi se ka reformë. Por, nëse fillojnë t’i ndryshojnë metodat dhe mënyrat e të bërit opozitari në kuvend apo edhe jashtë tij, atëherë ky është një indikator që ato kanë refkletuar dhe kanë nisur të reformohen. Nuk po flas vetëm për ndërrimin e njerëzve, kryetarëve të degëve, të nëndegëve, por që të kuptohet se partitë kanë reflektuar dhe janë reformuar edhe në mënyrën se si po e bëjnë opozitën”, tha Demhasaj.

Në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 14 shkurtit, Lëvizja Vetëvendosje ka fituar me mbi 50 për qind të votave. Kjo parti ka siguruar 58 ulëse në Kuvendin e Kosovës.

Partia Demokratike e Kosovës ka siguruar 19 ulëse në kuvend, ndërkaq, Lidhja Demokratike e Kosovës ka siguruar 15 ulëse. Të dy këto parti kanë thënë se do të qëndrojnë në opozitë.

Mbledhja konstituive e Kuvendit të Kosovës, është caktuar të mbahet më 22 mars.

Lajmet të tjera

Back to top button