KRONIKA E ZEZË

Si ndodhi vrasja e të riut në Deçan nga djali i pronarit dhe si e ndryshoi veprën prokurori

Agonis Tetaj ishte në vendin e tij të punës, kur u qëllua për vdekje nga Shaban Gogaj, djali i pronarit të kompanisë në të cilën po punonte viktima. Gogaj ishte ngarkuar me veprën penale “Vrasje e rëndë”, ndërkaq këtë të martë prokurori i rastit, Agron Uka, e ka ricilësuar veprën penale si “Vrasje nga pakujdesia”. Express ju sjell detaje nga aktakuza.

Një ngjarje e rëndë kishte ndodhur mesditën e 23 shtatorit të vitit 2018 në në Deçan. Aty, 18-vjeçari Shaban Gogaj, kishte qëlluar për vdekje punonjësin 29-vjeçar, Agonis Tetaj, nga fshati Llukë i Deçanit.

Tetaj kishte mbetur i vdekur në vend, ndërkaq Gogaj i cili ishte 18-vjeçar atë kohë, ishte arrestuar menjëherë në vendngjarje.

Sipas aktakuzës, krejt kjo ngjarje kishte ndodhur menjëherë pasi Shabani kishte marrë një telefonatë nga N.M, ku sipas Prokurorisë kjo telefonatë e acaroi atë.

Në aktakuzë shkruan se në momentin kur Shaban Gogaj shkrep plumbin, Agonis Tetaj, ndodhej ndërmjet dy kolegëve te tij.

Plumbi e kishte goditur në fytyrë, konkretisht në mollëzën e djathtë. Predha e plumbit i kishte kaluar në pjesën e prapme të qafës, e cila i ka shkaktuar gjakderdhje të jashtme dhe të brendshme në cipat e buta të trurit dhe trurit të vogël, si rrjedhojë Agonis Tetaj kishte pësuar vdekje të menjëhershme.

Po ashtu, në aktakuzë thuhet se Shaban Gogaj, me dashje e kishte privuar nga jeta viktimën Agonis Tetaj.

Gogaj ishte ngarkuar me veprën penale “Vrasje e rëndë”, ndërkaq këtë të martë prokurori i rastit, Agron Uka, e ka ricilësuar veprën penale si “Vrasje nga pakujdesia”.

Pas rikualifikimit të veprës, i akuzuari Shaban Gogaj, e ka pranuar fajësinë për veprën në fjalë. Ndërkaq prokurori Uka ka deklaruar se te i pandehuri Gogaj, nuk ishte provuar dashja për kryerjen e vrasjes së të ndjerit Tetaj, e as ndonjë motiv apo qëllim për kryerjen e kësaj vepre.

“Nuk është argumentuar elementi i dashjes për vrasje e as për vrasje të rëndë. Duke u bazuar në nenin 7 të KPRK-së dhe në rast të dyshimit, duhet të veprohet në favor të pandehurit, pikërisht në këto rrethana dhe fakte dhe dispozita ligjore në fuqi, bëjmë ricilësimin e veprës penale nga vrasja e rëndë në vrasje nga pakujdesia”, ka deklaruar Uka.

E për këtë, babai i Agonisit, Isuf Tetaj, ka dërguar një letër publike në të cilin po e akuzon prokurorin Agron Uka, se është duke manipuluar me rastin e vrasjes së të riut Agonis Tetaj.

 “Agonisi djali im u vra në vendin e punës në ditën e diele nga djali i pronarit të biznesit në të cilin ka qene i punësuar. Po ju shkruaj me qëllim që te ju informoj dhe alarmoj se prokurori z.Agron Uka, dje ne seancën gjygjësore në të cilën është thënë fjala përfundimtare nga palët pa asnjë provë dhe në kundërshtim me krejt realitetin ka rikualifikuar vrasjen e djalit tim nga vrasja e rëndë në vrasje nga pakujdesia”, ka shkruar Isuf Tetaj në letrën e tij.

Tetaj në letrën të cilën ua ka dërguar kryeprokurorit të shtetit, Aleksandër Lumezi, ambasadorit të SHBA’së në Kosovë Philip Kosnett, ambasadorit të Britanisë në Kosovë Nicholas Abott dhe atij të Gjermanisë, Joern Rohde, ka bashkëngjitur edhe aktakuzën e Prokurorisë Themelore të Pejës ndaj të akuzuarit Shaban Gogaj.

Po ashtu, Isuf Tetaj në këtë letër ka bashkëngjitur edhe videon nga momenti i vrasjes së djalit të tij, në vendin e punës.

Me këtë letër, ai po kërkon që të përjashtohet prokurori Agron Uka nga ky rast si dhe të vendoset gjykim meritor lidhur me vrasjen e djalit të tij.

Ndryshe, përveç Gogajt, për armëmbajtje pa leje, akuzohet edhe i pandehuri Isuf Cacaj.

Këtë çështje penale e përfaqëson Prokuroria e Gjilanit, pasi Kryeprokurori i Apelit, Haxhi Dërguti kishte aprovuar propozimin e mbrojtjes së të pandehurit, duke përjashtuar Prokurorinë e Pejës nga trajtimi i këtij rasti, me arsyetimin e trajtimit të njëanshëm të rastit.

Lajmet të tjera

Back to top button