Opinione

Gjuha turke dhe reagimet absurde

Shkruan: Justinian Topulli

Si gjithmonë, edhe në këtë rast, sa herë që përmendet Turqia dhe diçka turke, hop, brofin në këmbë ata “nacionalistë” të orëve të fundit, që nuk e kanë mbaruar akoma luftën e nisur nga Skënderbeu kundra turqve osmanë, që këtu, e pesë shekuj të shkuar!

Të gjitha luftërat që nisën më pas, deri në kohët moderne me armiq dhe pushtues të huaj kanë përfunduar, madje edhe në miqësi dhe dashuri, ndërsa lufta kundra osmanëve të vjetër e të rinj nuk përfundon kurrë, për disa mendje të ndryshkura nacionaliste e islamofobe. Tani e kanë nisur betejën me gjuhën turke, pas së cilës shohin kuçedrën që do të përpijë gjuhën shqipe, vetëm pse të rinjtë shqiptarë do të kenë mundësi, që krahas gjuhëve të tjera të detyruara në shkollë për t’i mësuar, ku ndonjëra prej tyre edhe gjuhë e ish-pushtuesve tanë, do të kenë mundësi të zgjedhin, nëse duan, edhe gjuhën turke!

Përtej tragjikomedisë që shkaktojnë zëra të tillë, që jo rrallë mbështeten edhe nga intelektualë me zë, ne si shqiptarë, duhet të shohim interesin tonë kombëtar, në marrëdhëniet me çdo shtet.

Është fakt se Turqia është një faktor i fuqishëm në rajon dhe ndikimi i saj sa vjen e shtohet, për shkak të bumit ekonomik, industrial, ushtarak dhe politik në rritje të këtij vendi. Për këtë arsye, ne si vend i vogël dhe me mundësi të kufizuara dhe të rrethuar nga shtete shpesh jo dashamirëse për ne, duam apo nuk duam, në të gjitha qeverisjet që kemi pasur në këtë vend, pa përjashtim, kemi parë te Turqia gjithmonë një aleat dhe mik ku të mbështetemi.

Një vend i vogël si i yni, dhe në pozitën gjeografike ku ndodhemi, nuk e kemi asnjëherë luksin të sillemi si arrogantë dhe tërësisht të njëanshëm, duke dashuruar pa kushte disa, dhe urryer pa kushte disa të tjerë. Parësor në këtë drejtim ne kemi interesin tonë ekonomik, politik, dhe mbi të gjitha, sigurinë kombëtare dhe zhvillimin e këtij vendi. Kështu që ne nuk mund të injorojmë, jo vetëm Turqinë, por edhe shtete shumë më pak të fuqishme sesa Turqia,  me të cilët na lidhin interesa dhe nevoja jetike, dhe me të cilët duam apo nuk duam, jemi të detyruar të bashkëveprojmë. Kështu që, ashtu siç është në interesin tonë që të mësojmë gjuhë të tilla, si italishtja dhe gjermanishtja, ashtu është dhe në interesin tonë të mësojmë turqishten, për të gjithë ata që duan ta zgjedhin këtë gjuhë, si gjuhë të dytë, apo të tretë nëpër shkolla.

Në fakt, realiteti tregon se turqishtja ka gati tre dekada që mësohet me shumicë nga shqiptarët. Janë me dhjetëra mijëra, në mos më tepër, ata shqiptarë që kanë studiuar dhe vazhdojnë të studiojnë në Turqi, duke përfshirë në këtë shifër, edhe ata që studiojnë këtu, nëpër shkollat e shumta turke. Po të shtojmë këtu edhe atë mori të madhe tregtarësh, që bëjnë tregti me këtë vend dhe që në një mënyrë ose në një tjetër, kanë mësuar sadopak turqisht, del se nuk janë të paktë ata shqiptarë që njohin dhe flasin gjuhën turke.

Kështu që histeria anti-turke është sa paranojë, aq edhe jorealiste, dhe në fakt, aktivizohet sa herë ndodh diçka në nivel zyrtar, nga shteti turk apo ai shqiptar, përndryshe, në realitet Turqia na “ka pushtuar” me kohë dhe askush nuk bën zë! Shumë njerëz të thjeshtë u bë vite që kanë filluar të mësojnë turqisht edhe nga filmat dhe serialet turke, që ndiqen me shumicë në televizionet private shqiptare dhe gati askush nuk bërtet dhe ulërin, si në rastet kur ndikimi turk nga pushteti i butë kulturor, zhvendoset në atë politik shtetëror. Kjo tregon se turkofobët shqiptarë bëhen të gjallë vetëm kur duan të përfitojnë politikisht dhe mundësisht t’i shiten si anti-turq atyre joshqiptarëve, që mbrojnë interesat e vendeve të tyre, apo kanë islamofobi e turkofobi patologjike.

Shqiptarët në përgjithësi, historikisht kanë treguar se nuk janë fanatikë dhe besnikë ideologjikë ndaj ideve dhe projekteve globale të të tjerëve, por kanë parë interesin e tyre, kanë kthyer gunën andej nga frynte era. Dhe kjo është e natyrshme për të gjithë ata popuj që gjenden në pozitat ku gjendemi ne. Kështu që mungesa e fleksibilitetit e disa njerëzve dhe pranimi për tu bërë vegël qorre e interesave të të tjerëve, jashtë këtij vendi, nuk i shërben aspak të mirës madhore të këtyre trojeve.

Është tepër e sigurt dhe e qartë, si dita me diell, që bota nuk ka qenë siç është dhe as nuk do të jetë ashtu siç mund të ëndërrojmë secili prej nesh. Krahët e forcës dhe ndikimit global do të ndryshojnë vazhdimisht, kështu që nuk ka asgjë të përjetshme në pushtetin njerëzor të kësaj bote.

Kjo duhet të jetë bindje, madje doktrinë e pakundërshtueshme për të gjithë ata njerëz që kanë sadopak mend në kokë. Kështu që të vetmet gjëra që na ngelen ne si shqiptarë, që të ruajmë dhe kultivojmë, për aq sa të ketë jetë kjo botë, janë parimet dhe vlerat  e mira morale dhe të vërtetat fetare që kemi, identiteti ynë kombëtar, si dhe padyshim, ekzistenca, siguria dhe mirëqenia jonë si komb.

The post Gjuha turke dhe reagimet absurde appeared first on Gazetapress.net.

Lajmet të tjera

Back to top button