Lajmet

Osmani i flet Palmerit për prioritetet e qeverisë së ardhshme, ky i fundit ia rithekson dialogun

Në këtë takim, Osmani i ka folur Palmerit lidhur me sfidat e qeverisë së ardhshme duke përmendur luftimin e krimit dhe korrupsionit, krijimin e vendeve të punës e luftën kundër pandemisë, shkruan Gazetapress.net.

Ajo gjithashtu ka përmendur qasjen e Biden mbi dialogun Kosovë – Serbi për çështjen e njohjes reciproke, çështje në të cilën është ndalur Palmer duke theksuar rolin e SHBA-ve si partnere në dialog.

Ai i tha Osmanit se SHBA-të do të mbeten aleat i përhershëm i popullit të Kosovës.

Ky është njoftimi i plotë:

Me këtë rast, Palmer i përcolli urime u.d. Presidentes për rezultatin në zgjedhjet parlamentare  të mbajtura me 14 shkurt duke potencuar rëndësinë e themelimit të institucioneve duke reflektuar vullnetin e qytetarëve të Kosovës.

U.d. Presidentja Osmani theksoi që fokusi aktual është pikërisht në themelimin e institucioneve pa vonesa në mënyrë që të evitohen krizat institucionale e kushtetuese dhe të kemi institucione të cilat reflektojnë vullnetin e qartë qytetar. Moszvarritja e procesit të certifikimit të rezultateve është tejet me rëndësi, theksoi u.d. Presidentja, në mënyrë që sa më parë të kemi institucione funksionale që urgjentisht merren me nevojat dhe kërkesat e qytetarëve.

U.d. Presidentja potencoi se qytetarët e Kosovës kanë votuar koalicionin fitues duke u bazuar në prioritetet e përcaktuara që fokusohen në luftimin e krimit e korrupsionit dhe krijimin e vendeve të punës e perspektivës për të rinjtë. Ajo shtoi se për shkak të pandemisë, sigurimi i vaksinave të mjaftueshme për qytetarët dhe menaxhimi i pandemisë e ringritja ekonomike duhet të jenë prioritete të institucioneve të reja. Përderisa z. Palmer u dakordua me znj. Osmani që institucionet e reja duhet të fokusohen në luftimin e korrupsionit, në adresimin e pandemisë, në ringritjen ekonomike dhe në krijimin e vendeve të punës, ai njëkohësisht theksoi rëndësinë e angazhimit aktiv në dialog, ngaqë kjo do të dëshmojë përkushtimin e Kosovës për të kontribuar në stabilitet, paqe dhe progres brenda vendit si dhe në rajon.

Sa i përket dialogut Kosovë – Serbi, u.d. Presidentja tha se në Kosovë është mirëpritur jashtëzakonisht shumë qasja e qartë e Presidentit Biden se dialogu duhet të përqëndrohet në njohjen reciproke, ndërkaq shtoi se institucionet e Kosovës duhet të flasin me një zë, e në këtë kontekst përmendi rëndësinë e bashkëpunimit me opozitën e me shoqërinë civile si dhe koordinimin e vazhdueshëm me aleatët tanë.

Nga ana tjetër, z. Palmer konfirmoi që në procesin e Dialogut, SHBA-të do të jenë të përfshira si partner dhe duke i koordinuar qëndrimet me Bashkimin Evropian. Gjersa, theksoi që SHBA-të mbeten të aleat i përhershëm i popullit të Kosovës.

Palët diskutuan edhe për situatën pandemike në Kosovë. U.d. Presidentja Osmani falënderoi z. Palmer për ndihmën financiare të ofruar nga SHBA-të, sidomos në iniciativën COVAX, nëpërmjet së cilës pritet që Kosova të sigurojë pjesën e parë të vaksinave. /Gazetapress.net/ 

Lajmet të tjera

Back to top button