Lajmet nga Rajoni

Kosova shtet i barabartë, mediat serbe raportojnë për idenë e akademikut serb për ‘Konfederatën e Ballkanit Perëndimor’

Qëndrimi për Kosovën i kreut të Akademisë së Serbisë, Vladimir Kostiq, ka nxitur reagime të shumta në Beograd.

Një gjë e tillë ka shtyrë këtë institucion që në faqen zyrtare të publikoj një dokument të titulluar “Kontributi i Akademisë në dialogun e brendshëm për Kosovën”, në të cilin janë të listuar qëndrime dhe ide të ndryshme të akademikëve që janë anëtarë.

Një nga qëndrimet që ka bërë bujë në mediat serbe është ai i akademikut Dragosh Cvetkoviq i cili ka propozuar krijimin e një konfederate të quajtur “Konfederata e Ballkanit Perëndimor” në të cilën Kosova do të ishte shtet i barabartë me të tjerët.

“Si pjesë e diskutimeve mbi statusin e Kosovës, unë paraqes idenë e krijimit të një Konfederatë të Ballkanit Perëndimor (KBP).  Konfederata do të përbëhej nga Shqipëria, Bosnja e Hercegovina, Kosova, Maqedonia, Serbia dhe Mali i Zi”, ka thënë Cvetkoviq, raporton Gazeta Express.

Ai ka thënë se në rast të krijimit të një Konfederate të tillë, strukturat e vendeve anëtare do të ruheshin dhe kufijtë do të ishin të hapur për njerëz dhe mallra.

Cvetkoviq në idenë e tij ka dhënë edhe detaje të funksionimit të një Konfederate të tillë, duke thënë se Konfederata do të drejtohej nga një Këshill i përbërë nga tre përfaqësues të shteteve anëtare.

“Këshilli do të vendoste me konsensus për çështjet e dakorduara me një shumicë prej dy të tretave”, ka shtuar akademiku serb.

Ai tutje thotë se selia e Konfederatës do të zhvendosej në mënyrë periodike në të gjitha kryeqytetet e shteteve anëtare.

Ndërkohë ka dhënë detaje edhe për mënyrën se si sipas tij do të bashkëpunonin shtetet anëtare në fushën e sigurisë.

“Nëmarrëveshjen për formimin e Konfederatës do të bihej dakord për bashkëpunimin e policisë dhe forcave ushtarake të shteteve anëtare”, thuhet në idenë e Cvetkoviq.

Ai ka thënë se kjo Konfederatë do të ndiqte një politikë të jashtme të unifikuar të orientuar drejt BE’së e që do të kultivonte edhe raporte me entitetet tjera.

Sa i përket gjuhëve zyrtare, Cvetokoviq ka thënë se do të ishin të barabarta shqipja, boshnjakisht, maqedonisht, serbisht, kroatisht dhe gjuha malazeze.

“Fetë do të ishin të barabarta dhe të drejtat e pakicave të garantuara. Detyra e Këshillit të Konfederatës do të ishte të përmirësojë bashkëpunimin e ekonomive anëtare dhe të punojë në afrimin e BE-së me qëllim që Konfederata të bëhet anëtare e BE-së”, sqaron tutje akademiku serb.

Cvetkoviq thotëse sigurisht që do të jetë e vështirë që të realizohet një ide e tillë, megjithatë shton se simpatia dhe dashuria janë kategori që duhet lënë anash kur flitet për gjetjen e një zgjidhje politike.

“Ana e mirë e Konfederatës është se shqiptarët, boshnjakët, serbët dhe malazezët do të kishin ndjenjën se të gjithë, ose pothuajse të gjithë, nga bashkatdhetarët e tyre janë në të njëjtin shtet. Le të kujtojmë se idetë e themelimit të një lloj federate ballkanike ekzistuan gjithashtu në Jugosllavi në vitet e para pas Luftës së Dytë Botërore. Është e vështirë të besohet se politikanët nga vendet e përmendura do të bashkoheshin kaq lehtë rreth një ideje të tillë. Sidoqoftë, Konfederata ofron një zgjidhje për shumë probleme ekzistuese dhe premton të përmirësojë ekonominë në kushte pa taksa, kështu që më duket se ka kuptim të zhvillohet më tej kjo ide. Ide të ngjashme me këtë janë shprehur kohët e fundit nga politikanë të ndryshëm. Nëse ata janë të interesuar, avokatët, ekonomistët dhe biznesmenët duhet të shprehin mendimin e tyre ekspert.

Kategoritë e simpatisë dhe dashurisë nuk janë veçanërisht të rëndësishme në çështjet politike, por interesi është ai që motivon politikanët dhe popujt. Politikanët e Konfederatës duhet t’ua lënë historianëve historitë e së kaluarës dhe të përqendrohen në ngritjen e standardeve të jetesës së popullsisë. Sigurisht, ata që kryen këtë javë do të ndiqen penalisht”, thuhet në idenë e propozuar nga Cvetkoviq.

The post Kosova shtet i barabartë, mediat serbe raportojnë për idenë e akademikut serb për ‘Konfederatën e Ballkanit Perëndimor’ appeared first on Gazetapress.net.

Lajmet të tjera

Back to top button