Lajmet

AAK kërkon rinumërim të plotë të votave, partitë tjera nuk pajtohen

Kërkesa e AAK-së vjen pas dyshimeve për manipulim të votave, e që me kërkesë të PZAP-së janë rinumëruar votat për disa nga kandidatët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.

Përfaqësuesi i AAK-së në KQZ, Ibrahim Selmanaj, tha se ka pasur parregullsi edhe në mes të partive politike të tjera. Sipas tij, vetëm një rinumërim i plotë do të pastronte të gjithë procesi zgjedhor.

“Në këtë proces zgjedhor ka pasur parregullsi, të cilat janë vërejtur. Parregullsitë kanë filluar prej qendrave të vendvotimeve, ku edhe komisionarët me formularët final kanë bërë ato paraqitjet e tyre, të cilat më vonë është dashur edhe me iu fut rinumërimit dhe janë vërejtur këto parregullsi. Në këtë rast, sikurse e kam thënë edhe më herët përsëris qëndrimin e Aleancës se hetuesia duhet seriozisht të merret në këtë rast me secilin komisionar ose secilin përgjegjës në secilën qendër dhe në secilin vendvotim, në secilën kuti të votimit aty ku ka bërë ndërhyrje në rastet konkrete ose edhe në rastet tjera që edhe nuk i dimë. Në këtë rast bëhet fjalë për AAK-në që është e apostrofuar, por e vërteta është se ka edhe në mes të kandidatëve të tjerë të partive të tjera politike. Prapë unë kërkoj nga KQZ, kërkoj përkrahjen e juaj që të bëhet një rinumërim i plotë në mënyrë që të pastrohet si proces dhe të evidentohen të gjitha rastet”, tha ai.

Sa i përket rinumërimit të plotë të votave, kryetarja e KQZ-së Valdete Daka tha se për këtë çështje vendos KQZ-ja dhe se për çështjen e dyshimeve të manipulimit me vota dhe pas publikimit të disa videove, janë duke u zhvilluar hetime nga Prokuroria dhe Policia e Kosovës.

“Duhet ta përsëris se objekt i hetimit nuk janë kutitë e tjera ashtu siç paraqitet në media, janë vetëm disa kuti të cilat janë rinumëruar në QNR ditën e parë – ato të votave me kusht dhe ato janë objekt i hetimit, pra jo kutitë tjera, të cilat janë duke u rinumëruar dhe ato të cilat janë rinumëruar dje. Pra, ato 134 kutitë nuk janë objekt i hetimit. Por, nëse nga ato rinumërime do të dalin ndryshime të dallueshme në mes të kandidatëve dhe ndryshime të dallueshme në mes të formularëve të plotësuar dhe asaj çka rinumërohet edhe emrat e atyre, të cilat i kanë numëruar në vendvotim, do të dërgohen në prokurori…Sa i përket rinumërimit total të cilin e propozoi Ibrahimi, nuk mund të jap ndonjë mendim. Ajo është çështje e vendosjes së KQZ-së. Gjithsesi nëse merr përkrahjen e krejt KQZ-së atëherë edhe do të ndodhë”, tha ajo.

Kundër rinumërimit total të votave ishte anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje në KQZ, Sami Kurteshi, i cili tha se kjo kërkesë i tejkalon kërkesat ligjore. Një rinumërim total i votave, sipas tij, do të dëshmonte se procesi ka qenë i kriminalizuar dhe që si proces ka dështuar.

“Kërkesa për rinumërim të plotë tash i tejkalon edhe kërkesat ligjore. Unë mendoj se dallimet e mospërputhjeve relativisht mirë shihen ku janë dhe janë ku janë. Unë e kuptoj se gjithmonë ata që marrin më pak vota, nuk mund të jenë të kënaqur gjithmonë me rezultatin. Por, një rinumërim i plotë merr karakter politik dhe tejkalon caqet e karakterit juridik dhe unë mendoj se nuk është shenja që është i domosdoshëm rinumërimi i plotë. Një rinumërim i plotë do të ishte një shenjë e qartë se procesi zgjedhor ka qenë krejt i kriminalizuar, krejt i keq. Ne kemi tërhequr vërejtjen vazhdimisht që të bëhen përpjekje që procesi të jetë në rregull, por pas rezultateve mandej të dilet në një terren tjetër edhe të pranohet që vërtet të rrëzohet ajo teoria që këto kanë qenë zgjedhjet më të mira. Kërkesa për rinumërim të plotë do të thotë se krejt procesi ka dështuar dhe ne mund ta pranojmë si KQZ se krejt procesi ka dështuar, ka qenë i korruptuar, i keq, i kriminalizuar”, tha Kurteshi.

Përfaqësuesi i LDK-së në KQZ, Sami Hamiti, tha se partitë politike tashmë kanë pranuar rezultatin e zgjedhjeve të 14 shkurtit.

“Rreth subjekteve politike rezultat janë pranuar, do të thotë nuk ka pasur dilemë, as nuk ka kërkuar as Aleanca, as kurrkush rinumërim të votave për subjekte politike. Kjo është më tepër një kërkesë morale nga përfaqësuesit e Aleancës në kuptimin e asaj që të zbulohet gjithçka rreth kandidatëve. Nuk e ka kërkuar më herët si kërkesë që do të jetë për subjektin politik apo mos pranimin e rezultateve. Në anën tjetër e shoh që ato kuti, të cilat ka pasur pa barazime mes formularëve të kandidatëve dhe pjesës së tjetër të formularëve, të përputhjes së rezultateve kanë shkuar në auditim dhe janë rinumëruar. Por, pjesa tjetër janë me kërkesat e kandidatëve dhe vendimeve të PZAP. Mendoj se nuk do të ketë ndryshime në rezultate, sepse ato kuti të cilat janë vërejtur edhe që kanë një mospërputhje, kanë hyrë”, tha Hamiti.

Ndërsa, anëtari i PDK-së, Arianit Elshani, kërkesën e AAK-së e ka quajtur legjitime, derisa ka kërkuar nga Prokuroria dhe policia që të kryejnë punën lidhur me rastet të cilat evidentohen se ka pasur parregullsi.

“U tha se kërkesa e Selmanaj është kërkesë politike, dhe mund të jetë. U tha që nuk është ligjore, edhe mund të jetë, mirëpo është legjitime. Për faktin që ka disa fakte, janë disa video incizime, janë rinumërime, të cilat kanë konstatuar se ka pasur ndryshime në lista të deputetëve dhe tjetra është një kërkesë edhe një presion, kërkesë e shumicës së kandidatëve për deputetë, të cilët dëshirojnë edhe një rinumërim të plotë të këtij procesi zgjedhor. Mirëpo, në anën tjetër duhet të kenë parasysh të sqarohet edhe për opinionin publik, sepse nuk janë vetëm këto raste të cilat janë dorëzuar dhe janë në hetim nga Prokuroria, por janë edhe raste të tjera të cilat janë evidentuar gjatë auditimit, gjatë rinumërimit të parë që ka ndodhur të cilat sistemet kanë evidentuar diferencat në vota”, tha ai.

Kryeshefi i Sekretariatit, Burim Ahmetaj, tha se deri nesër mund të përmbyllet procesi i rinumërimit të vendvotimeve që kanë shkuar në rinumërim me vendim të PZAP-it.

“Sidoqoftë deri nesër do ta përmbyllim këtë proces dhe do të njoftojmë KQZ me të gjitha të gjeturat se si kanë qenë rezultatet para rinumërimit dhe pas rinumërimit te secili kandidat, votat e të cilëve i janë nënshtruar procesit të rinumërimit. Jemi në fazën e krahasimit dhe procedimit në bazën e të dhënave dhe nga baza e të dhënave do t’i marrim të dhënat e krahasimit të votave para dhe pas rinumërimit. Sigurisht në mënyrë tabelare do t’i keni secilin ndryshim pas këtij procesi të rinumërimit”, tha Ahmetaj.

Debat në këtë mbledhje të KQZ-së ka ngritur edhe një kërkesë për zgjatje të kontratave për stafin jo permanent të KQZ-së deri në fund të këtij muaji për 98 persona.

Anëtari i LVV-së në KQZ, Alim Rama, kërkoi të di nga Sekretariati arsyen e mos marrjes parasysh të një kërkese të Zyrës për Regjistrimin e Partive Politike që t’i vazhdohet kontrata për disa persona.

“Mungojmë arsyetime nga sekretariati, po ashtu në Zyre gjatë mbledhjes jemi njoftuar se nuk janë përfillur të gjitha kërkesat e zyrës, ku unë veç desha ta rikujtoj kolegët në KQZ që Zyra për Regjistrim të Partive Politike e gëzon autonominë funksionale kështu që kërkesat e Zyrës është dashur të trajtohen drejtpërdrejt në KQZ-së”, tha Rama.

Kryeshefi i Sekretariatit, Burim Ahmetaj, tha se nuk e kupton tendencën që kërkohet t’i vazhdohet kontrata stafit të Zyrës për Regjistrim të Partive Politike, kur aktiviteti i saj ka përfunduar me 14 shkurt.

“Nuk shoh këtu dilemë se pse duhet të përmbyllen këto procese, të cilat janë të pa përmbyllura e t’iu ndërpritet stafit në QNR kontrata dhe t’i vazhdohet stafit në Zyrën e Partive Politike ku aktivitetet kanë përfunduar në ditën e zgjedhjeve. Kështu që unë nuk e kuptoj këtë tendencë që të bëhet vazhdimisht trysni edhe presion të ndërpritet në këtë pjesë dhe t’i vazhdohet një pjese që veç ka përfunduar me 14 shkurt”, tha Ahmetaj.

Kjo ka zgjeruar reagimin e drejtorit të Zyrës për Regjistrim të Partive Politike, Yll Buleshkaj, i cili tha se në kërkesën e tyre kanë qenë të listuar arsyet se pse iu nevojitet edhe për disa ditë stafi shtesë.

“Në kërkesën tonë kanë qenë të listuar arsyet pse na nevojitet edhe disa ditë stafi dhe kemi kërkuar për shkak se procesi i identifikimit të nevojave nuk ka qenë transparent dhe nuk ka qenë gjithëpërfshirës. Po të kishte shkuar në mënyrë inkluzive dhe të diskutohet secili rast, nuk ma merr mendja që nuk do të kishim kurrfarë diskutimi para këshillit, por ka shkuar në mënyrë ekskluzive, ka vendosur dikush për nevojat e dikujt”, tha ai.

Në këtë mbledhje të KQZ-së, ai po ashtu njoftoi se ka nisur procedurat për regjistrimin e një partie politike që synon të garojë për ulëse të shumicës, e që tha se iniciativa e ka emrin Partia Republikane për Ndryshime, e cila udhëhiqet nga Ismet Krasniqi.

Lajmet të tjera

Back to top button