Lajmet

​Limaj nga Prekazi: Askush nuk mund ta zbehë luftën e UÇK-së

Limaj u shpreh se një komb që nuk ka mirënjohje për të kaluarën e tij rrezikon të ardhmen e tij.

Ai tha se duke nderuar Adem Jasharin dhe familjen e tij nderojmë të gjithë dëshmorët e rënë në luftën për lirinë e Kosovës.

“Si çdo vit në këtë datë, gjithë kombi shqiptar vjen këtu për të nderuar lavdinë, sakrificën, përkushtimin e komandantit legjendar (Adem Jashari), sakrificën e gjithë familjes së tij, e familjarëve të tij, por gjithashtu përmes kësaj nderojmë e kujtojmë jetën e veprën e lavdishme të të gjithë dëshmorëve të kombit. Shenja e një kombi që është në rrugën e drejtë është simbolika e mirënjohjes. Një popull ose një komb që nuk ka mirënjohje për të kaluarën e vet, për bijtë e tyre që kanë dhënë më të shtrenjtën për lirinë e Kosovës, ai rrezikon të ardhmen, ai ka telashe me ndërtimin e së ardhmes së vet”, u shpreh Limaj.

Ai tha se më shumë se kurrë lufta çlirimtare e udhëhequr nga komandanti legjendar Adem Jashari e me mijëra ushtarë e dëshmorë i është ekspozuar sulmit të vazhdueshëm të gjithanshëm për të zbehur lavdinë dhe pastërtinë e kësaj lufte.

Mirëpo, kreu i Nismës u shpreh se askush nuk mund ta zbehë luftën e UÇK-së dhe për këtë garanci janë qytetarët e Kosovës.

“Ne sot jemi këtu dhe në këtë përvjetor për të nderuar, përkulur ndaj sakrificës së atyre burrave dhe grave të Kosovës në krye me komandantin legjendar por po ashtu për të qëndruar fort dhe për të thënë se sado sulme të gjithanshme të qofshin, ashtu dhe asgjë nuk mund ta zbehë luftën dhe krenarinë çlirimtare, lufta e cila është e mishëruar me lirinë e Kosovës, me themelet e shtetit të Kosovës, garanci për këtë janë fryma çlirimtare e qytetarëve, e popullit të Kosovës, e pasardhësve të atyre të cilët kanë dhënë më të shtrenjtën për lirinë e Kosovës. Lavdi komandantit legjendar dhe të gjithë dëshmorëve të kombit”, u shpreh Limaj.

Ndryshe, gjatë ditës së sotme në Prekaz dhe te të gjitha komplekset e dëshmorëve në mbarë vendin u nderua sakrifica e të gjithë dëshmorëve në luftën për lirinë e Kosovës.

Lajmet të tjera

Back to top button