Lajmet

U tha se bëri kalkulime politike, deklarohen nga Specialja për shtyrjen e seancës ndaj Thaçit dhe të tjerëve

Sipas njoftimit të lëshuar nga Specialja për shtyrjen e kësaj seance, kjo ka ndodhur për arsye organizative që sipas tyre lidhen edhe me mundësinë e prezencës së palës mbrojtëse në seancë, shkruan Gazetapress.net.

Shtyhet për të martën seanca ndaj Thaçit, Veselit, Krasniqit e Selimit

Por, menjëherë pas këtij vendimi, Adil Behramaj ish-këshilltari i presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi tashmë i akuzuar nga Gjykata Speciale tha se vendimi për shtyrje të seancës është kalkulim politik dhe është bërë me pretendimet se prezenca mediale e Thaçit dhe Veselit mund t’i ndikojë votuesit në Kosovë.

“Që nga njoftimi i Zyrës së Prokurorit të Specializuar për dorëzimin e aktakuzës ndaj Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit, një praktikë e paprecedent në drejtësinë ndërkombëtare, deri në vendimin e tashëm për shtyrjen e paraqitjes së tyre para Gjykatës Speciale, nga 11 shkurti në 16 shkurt, duket se nuk ka asnjë rastësi në sjelljen e kësaj gjykate me themeluesit e UÇK-së dhe themeluesit e shtetit të Kosovës. Me publikimin e njoftimit për ngritjen e aktakuzës ende pa u konfirmuar, Gjykata Speciale bëri gjeopolitikë. Me shtyrjen e paraqitjes së tyre para Gjyqtarit të Procedurës, sepse jemi në prag të ditës së zgjedhjeve, Gjykata Speciale bëri kalkulim politik. Po i frikësohen paraqitjes së Hashim Thaçit e Kadri Veselit edhe në Dhomat Speciale në Hagë. Po druhen që prezenca mediale njëditore e tyre ndikon te votuesit dhe ua prishë atyre skenarin politik, që po mundohen ta jetësojnë në emër të drejtësisë. Kjo është dëshmi tjetër që largimi i tyre nga skena politike në emër të drejtësisë ishte dhe mbetet tërësisht i sinkronizuar. Megjithatë, të drejtën e votimit nuk ua kanë mohuar dhe votat e tyre kanë arritur nga Haga në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Hashim Thaçi e Kadri Veseli dihet kënd e kanë votuar dhe dihet se kënd do të dëshironin që ta votonit edhe ju.”, tha Behramaj nëpërmjet një postimi në Facebook.

Gazetapress.net ka kërkuar përgjigje qartësuese nga Gjykata Speciale lidhur me shtyrjen e seancës dhe nëse ky vendim mund të ketë lidhje me zgjedhjet parlamentare në Kosovë që do të mbahen me 14 shkurt.

Nga zyra përgjegjëse për organizimin e seancave pranë Gjykatës Speciale për Gazetapress.net kanë thënë se seanca është shtyrë për arsye organizative pas konsultimit me palët.

“Gjyqtari i procedurës paraprake vendosi të ri-caktojë seancën për arsye organizative, pas konsultimit me palët.”, thuhet në përgjigjen e Speciales për Gazetapress.net.

Lidhur me çështjen, Gazetapress.net ka kontaktuar edhe me njohësin e çështjeve juridike, Ehat Miftaraj i cili është shprehur se çdo shtyrje e seancave duhet të jetë e arsyetuar dhe në asnjë rrethanë nuk duhet të ndikohet nga situata politike në Kosovë.

Sipas Miftarajt, gjykatësi i procedurës paraprake duhet të dëshmojë pavarësi dhe integritet në procese të tilla.

“Gjykata Speciale punën e saj duhet ta bazojë vetëm mbi bazën e ligjit, fakteve dhe procedurave. Çdo shtyrje e seancave duhet të jetë e arsyetuar dhe në asnjë rrethanë nuk duhet të ndikohet nga situata politike në Kosovë. Në këtë drejtim, gjykatësi i procedurës paraprake duhet të dëshmojë pavarësi dhe integritet në procese të tilla”, tha Miftaraj për Gazetapress.net.

Gjithashtu sot, Gjykata Speciale ka marrë vendim t’ia refuzojë kërkesën për lirim nga paraburgimi ish-kreut të Organizatës së Veteranëve të Luftës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Javë më parë, Specialja ka refuzuar edhe kërkesën për lirim me kusht të mbrojtjes së ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit dhe ish-kryeparlamentarit Kadri Veseli. /Gazetapress.net/ 

Lajmet të tjera

Back to top button