EKONOMI

MPB-ja arsyeton “humbjen” e 7.5 milionë eurove të fondeve të BE-së

 

Kosova ka humbur 7.5 milionë euro të fondeve të BE-së nga moszbatimi i reformave.

Lidhur me këtë Ministria e Punëve të Brendshme është arsyetuar duke thënë se këto mjete nuk kanë humbur, por mbetet të diskutohet me Komisionin Evropian nëse ato mund të ri-planifikohen.

Në kuadër të Kontratës së Reformës Sektoriale për Reformat e Administratës Publike në vitin 2018 dhe vitin 2019 rezultoi me mbi 9 milionë euro që janë disbursuar drejtpërdrejt në Thesarin e Shtetit.

“Me qëllim të informimit të drejt të publikut, ju njoftojmë se viti i parë i zbatimit të kontratës, viti 2018 ishte shumë pozitiv sepse shumica e treguesve u përmbushën dhe Qeveria arriti të siguronte mbi 3 milion euro nga Komisioni Evropian. Viti 2019 ishte i vështirë për procesin e reformave për shkak të zhvillimeve politike përfshirë dorëheqjen e Qeverisë dhe zgjedhjet e parakohshme, zhvillime këto që cilat bllokuan procesin vendimmarrës të Qeverisë”, thuhet në një komunikatë të MPB-së.

Sipas ministrisë në vitin 2019 Kosova arriti të përmbushë vetëm një tregues, duke arritur të zbatojë 50% të rekomandimeve të lëshuar gjatë vitit 2018 dhe 2019 nga Avokati i Popullit, e për të cilat institucionet janë përgjigjur pozitivisht.

“Qeveria gjithashtu përmbushi një tregues tjetër, duke miratuar Koncept Dokumentin për Reduktimin e Barrës Administrative, mirëpo për shkak se Vendimi i Qeverisë u mor në mars të vitit 2020 dhe jo gjatë vitit 2019, ai nuk u përfshi në vlerësimin pozitiv nga Komisioni Evropian duke i pamundësuar Qeverisë të kërkoj 800-mijë Euro””, thuhet tutje në komunikatë.

Një tregues tjetër i rëndësishëm i reformave sipas MPB-së është racionalizimi i agjencive, ku përderisa institucionet kishin përfunduar të gjitha përgatitjet e nevojshme për procesin, vendimet kishin ngecur për arsye politike.

“Viti 2020 është ngrirë nga Komisioni Evropian për shkak të ndikimit të pandemisë Covid-19 dhe zhvillimeve të tjera në Kosovë që kanë ndaluar procesin e reformës”, thuhet në komunikatë..

Tutje bëhet e ditur se Qeveria e Kosovës është duke përgatitur kërkesën përkatëse për zgjatje dhe ri-negocim të kontratës duke përfshirë edhe ri-planifikimin e fondeve të mbetura për vitin 2018 dhe 2019, në shumën prej 7-milionë eurove. “Prandaj këto mjete nuk janë të humbura, por mbetet të diskutohet me Komisionin Evropian nëse ato mund të ri-planifikohen”, arsyetohet MPB./21Media

The post MPB-ja arsyeton “humbjen” e 7.5 milionë eurove të fondeve të BE-së appeared first on GazetaPress.

Lajmet të tjera

Back to top button