Lajmet nga Rajoni

Kryeministri çek në Beograd: Mbështesim vendet e Ballkanit Perëndimor në rrugën evropiane

Serbia është një partner i rëndësishëm afatgjatë i Republikës së Çekisë dhe e mbështesim atë në rrugën drejt Bashkimit Evropian (BE), ashtu sikurse edhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, tha sot kryeministri çek Andrej Babish në Beograd, transmeton Kosova Post.

Në një konferencë të përbashkët shtypi me kryeministren serbe Ana Bërnabiq, Babish tha se ka ardhur për të marrë informacion dhe për të mësuar në lidhje me përvojat e “miqve nga Serbia” në luftën kundër COVID-19.

Siç tha ai, Serbia ka vaksinuar më shumë se gjysmë milioni njerëz, gjë që e vendos atë në vendin e dytë në Evropë dhe të shtatin në botë.

“Presim që ky numër të rritet edhe më shumë, sepse edhe rivaksinimi ka ardhur në radhë”, tha ai, duke shtuar se për Republikën e Çekisë është interesante që qytetarët serbë mund të zgjedhin një prodhues të vaksinave.

“Ne diskutuam gjithashtu planin e vaksinimit, cilat kategori janë prioritet. Kjo është jashtëzakonisht e rëndësishme për ne dhe unë jam shumë i lumtur që sot patëm mundësinë të merrnim këtë informacion”, tha ai.

Ai po ashtu tha se situata epidemiologjike në Çeki nuk është e mirë, për të cilën zgjidhja e vetme është vaksinimi.

Babish po ashtu deklaroi se Çekia ka porositur 8,4 milionë vaksina, por që nuk ka asnjë garanci që dërgesat do të respektohen sipas sasive dhe muajve të dakorduar, prandaj, është e rëndësishme të aprovohen vaksinat nga prodhuesit e tjerë.

Sipas tij, shkëmbimi tregtar midis dy vendeve ka qenë vazhdimisht në rritje në dhjetë vitet e fundit dhe marrëdhëniet midis Serbisë dhe Republikës së Çekisë janë miqësore.

Bërnabiq theksoi se ata diskutuan çështje të rëndësishme, kryesisht luftën kundër koronavirusit dhe imunizimin masiv kundër COVID-19, dhe shprehu kënaqësinë që ajo priti kryeministrin e Çekisë, sepse dy vendet kanë marrëdhënie të shkëlqyera që mirëmbahen përmes vizitave të rregullta dhe takimeve të shpeshta në nivelin më të lartë politik.

Ajo falënderoi kryeministrin Babish dhe qeverinë e tij për gjithçka që kanë bërë që Serbia të përparojë më shpejt në rrugën evropiane.

“Republika e Çekisë rregullisht, shpejt dhe me efikasitet jep pëlqimin e saj për hapjen e kapitujve të negociatave për Serbinë dhe ajo që është veçanërisht e rëndësishme për ne është se ata kanë shpallur tashmë platformën për presidencën e BE-së në vitin 2022 mbi zgjerimin e Unionit”, tha ajo.

Siç tha ajo, bashkëpunimi tregtar midis dy vendeve vitin e kaluar arriti thuajse 1,2 miliard euro.(AA)

The post Kryeministri çek në Beograd: Mbështesim vendet e Ballkanit Perëndimor në rrugën evropiane appeared first on Gazetapress.net.

Lajmet të tjera

Back to top button