EKONOMI

​Zgjedhjet e shpeshta po e bëjnë shtetin joserioz, ndikim negativ edhe në ekonomi

 

Viti 2021 është vit elektoral në Kosovë. Zgjedhjet e parakohshme të 14 shkurtit do të pasohen nga ato lokale në vjeshtën e vonshme. Mirëpo, çështja e presidentit mund të ndërlikojë situatën dhe njohësit politikë, por edhe vetë partitë, nuk e përjashtojnë mundësinë e mbajtjeve të zgjedhjeve të tjera gjatë verës nëse dështon të zgjedhet kreu i shtetit.

Mirëpo, nga këndvështrimi ekonomik, paralajmërimi për zgjedhje të reja menjëherë pas atyre të 14 shkurtit në rast të dështimit të zgjedhjes së presidentit, po konsiderohet i rrezikshëm dhe shkatërrues për Kosovën.

Drejtori i Odës Ekonomike Amerikane Arian Zeka deklaroi se mbajtja e zgjedhjeve ka ndikim negativ, aq më tepër në kohë pandemie, ku dëmet më të mëdha sipas Zekës do të jenë sa i përket rritjes ekonomike, tërheqjes së investimeve të huaja dhe për të hyrat buxhetore.

“Në këtë aspekt mbajtja e shpeshtë e zgjedhjeve, shikuar edhe në aspektin historik, në vendin tonë gjithmonë ka ndikuar edhe në normën e përgjithshme të rritjes ekonomike, edhe tek tërheqja e investimeve të huaja direkte, por edhe tek të hyrat e mbledhura për buxhetin e vendit. Në një situatë hipotetike kur ne do të kishim zgjedhje më të shpeshta brenda një intervali të shkurtër kohor, besoj që ndikimi në ekonomi do të ishte shkatërrues, aq më tepër nëse kombinohet sërish me ndikimin që ka pandemia COVID-19, e që ka pasur gjatë vitit 2020”, thotë Zeka.

Kreu i OEAK deklaron se stabiliteti politik është faktor i rëndësishëm në vendimmarrjen afariste, prandaj sipas tij mbajtja e shpeshtë e zgjedhjeve bën që vendimet afariste të frenohen.

“Vetvetiu një pasiguri e tillë ose mungesa e stabilitetit politik apo edhe mbajtja e shpeshtë e zgjedhjeve bën që vendimet afariste të frenohen dhe investitorët, të brendshëm apo të jashtëm, të presin për momentin që ata e konsiderojnë të volitshëm për t’i zbatuar pastaj planet e tyre për zgjerim të investimeve apo për investime të reja”, deklaron ai.

Eksperti i ekonomisë Lekë Musa thotëse ndërrimi i shpeshtë i qeverive ndikon negativisht në tërheqjen e investitorëve të huaj si dhe në realizimin e investimeve strategjike.

“Për shkak të ndërrimit dhe të një jostabiliteti të vazhdueshëm politik dhe ndërrimit të shpeshta të qeverive, nuk kanë arritur asnjëra prej tyre që të realizojnë ndonjë projekt të madh strategjik nëpërmjet këtij legjislacioni apo edhe vet implementimit të programeve ekonomike. Kështu që edhe në aspektin e tërheqjes së investitorëve të huaj, ata në rend të parë e shohin një vend shumë jostabil në aspektin politik dhe ndërrimet e shpeshta të qeverive japin për të besuar se ky vend nuk është serioz dhe nuk mund të ketë një konsistencë të implementimit dhe realizimit të ideve të ndryshme ekonomike”, deklaroi Musa.

Për këtë, ai thotë se nuk pritet të ketë një situatë shumë optimiste, por siç thekson ai, bizneset janë adaptuar me mos mbështetje dhe me jo stabilitet politik.

“Në këtë aspekt nuk mund të presim një situatë shumë optimiste sa I përket këtyre dy elementeve, pastaj në aspektin tjetër Kosova ka një ekonomi të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme të cilat janë mjaft të rëndësishme dhe fleksibil të cilat adaptohen dhe jemi mësuar pak a shumë që kemi një jo-stabilitet politik dhe ekonomik. Prandaj, e mira e kësaj pune është se ndërmarrjet e vogla dhe të mesme janë mësuar dhe nuk mbështeten shumë në qeveri në stabilitetin politik”, thekson ai.

Ditë më parë në një paraqitje publike, kryetari i LDK-së Isa Mustafa ka thënë se formimi i institucioneve të reja pas 14 shkurtit kësaj radhe do të jetë më i ndërlikuar, pasi nevojiten 80 vota për zgjedhjen e kryetarit të Kosovës. Dhe sipas tij, nuk përjashtohet mundësia që të mbahen zgjedhjet në verë pas këtyre më 14 shkurt./kp

The post ​Zgjedhjet e shpeshta po e bëjnë shtetin joserioz, ndikim negativ edhe në ekonomi appeared first on GazetaPress.

Lajmet të tjera

Back to top button