Aziz Salihu: Mos gaboni, se boll ma keni pirë gjakun!
SPORT — November 7, 2016 at 2:30 am

Aziz Salihu: Mos gaboni, se boll ma keni pirë gjakun!

0
Aziz Salihu është tepër i irrituar që nuk i dha mirënjohje KOK-u në mbrëmjen e organizuar nga ky asociacion në dyvjetorin e pranimit në KON!
Fituesi i medaljes së bronztë olimpike në vitin 1984 në Los Anxhelos të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ish-boksieri i mirënjohur Aziz Salihu, është shumë i irrituar që nuk u nderua të paktën me një mirënjohje nga Komiteti Olimpik i Kosovës (KOK) në mbrëmjen e organizuar nga ky asociacion me rastin e dyvjetorit të pranimit në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar (KON). Salihu ishte i pranishëm në këtë mbrëmje, por qe doli i revoltuar, sepse nuk iu dha një mirënjohje si sportist i merituar dhe që ka sakrifikuar shumë për sportin e Kosovës. “Si sportist i Shekullit, të gjithë e din se sa medalje kam fituar, medalist olimpik, tri herë pjesëmarrës në Lojërat Olimpike, kjo është kënaqësi për mua por dikujt i pengojnë këto të arriturat e mija. Kjo kllapë që është në KOK nuk me dha mirënjohje, ndërsa unë jam themelues i këtij asociacioni, i shumë federatave të sporteve luftarake, të cilat i di shumë mirë populli i Kosovës.

Kjo sëmundje që mu ka paraqitur më herët (pankreasi) krejt ka qenë si shkak i nervozizmit me KOK-un, por edhe që nuk më morën as në Lojërat Olimpike në Rio gjatë këtij vitit. E meritoja një mirënjohje si sportist që kam sakrifikuar e kontribuar shumë”, tha Salihu për gazetën kombëtare “Bota sot”. “Si në kohën e okupimit, si pas pasluftës, kam organizuar shumë protesta sportive. Tash kemi në disa federata sportive njerëz që kurrë nuk janë marrë me sport. E disa kanë bashkëpunuar edhe me okupatorin serb. Nuk kemi çfarë të frikësohem, këtë duhet ta di edhe Besim Hasani, kryetar i KOK-ut, por t’i shpërblen njerëzit meritorë. Më ka mbetur hatri shumë që nuk me nderuan me një mirënjohje, kur dihet se unë kam dhënë shumë para nga xhepi im, kam humbur të gjitha, që nga shtëpia e shumë gjëra tjera për të kontribuar për sportin e Kosovës”, tha Salihu. “Unë jam themelues i turneut ‘Adem Jashari’ që mbahet edhe sot e shumë turne tjerë, ndërsa sot nuk kanë forcë të më japin një mirënjohje 30 centi dhe nuk e di pse i frikësohem emrin tim. Askujt nuk po ia marrë bukën, por kush del të flas në binë e kush janë disa në KOK, është marre për vendin tonë.

Më kanë harruar edhe televizionet. Jetoj pa shtëpi, me qera, sepse të gjitha i dhashë për sportin e Kosovës. Disa hajna që kanë punuar me regjimin e Beogradit, sot janë në disa federata sportive. Mos gaboni, se boll ma keni pirë gjakun mua dhe shumë sportistëve tjerë”, theksoi ai. “Kemi Fadil Vokrrin, një sportist të madh, që meriton të nderohet, e shumë të tjerë. Isha edhe në Kampionatin e Kosovës në boks, pashë shumë boksierë të mirë, por i duhen edhe shumë njerëz profesionistë të këtij sportit. Boksi e ka Latif Demollin, një punëtor të madh”, tha Salihu.